Shuma milionëshe, por vetëm një kompani! BEG lidhi marrëveshje €40 mln, një ditë para se EMV ta marrë menaxhimin

32

Nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut kumtuan se pas sjelljes së vendimit të Qeverisë dhe marrëveshjes së nënshkruar, fillon edhe menaxhimi i përkohshëm me BEG-un dhe Ngrohtoren “Shkup Veri”. Kompania shtetërore EMV, thekson se vendimi për të menaxhuar me ngrohjen në Shkup është rezultat i asaj që kompanitë private nuk janë në gjendje ta garantojnë ngrohjen për qytetarët.

“Mjetet prej 6 milionë eurove janë ndarë nga Qeveria për ballafaqim me krizën me energji termike. Në përputhje me marrëveshjen, ato do të shfrytëzohen për furnizim të gazit për prodhim të energjisë termike në “Balkan Enerxhi”, për furnizim të energjisë termike, e cila merret nga prodhuesi TE-TO, si dhe për shpenzimet e tjera që kanë të bëjnë vetëm me procesin e prodhimit”, thonë nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut.

Po çfarë fshihet pas krizës me energjinë për ngrohje, për shkak të së cilës qytetarët me ditë të tëra qëndronin me radiatorë të ftohtë? Vetëm një ditë para se EMV-ja ta marrë përsipër menaxhimin, kompania BEG ka lidhur marrëveshje në vlerë prej 40 milionë eurove për furnizim të 52,1 milionë kg mazut me firmën RKM në pronësi të afaristit Ratko Kapushevski. Marrëveshja është lidhur më 20 janar të këtij viti me çmim prej 39.26 denarë për një kilogram mazut, edhe atë pa shpallje të publikuar. Në vetë njoftimin për kontratën e lidhur për furnizimin publik thuhet.

 “Sqarim për zgjedhjen e procedurës me negocim pa pasur shpallje paraprake: Kur pas dy procedurave të realizuara të hapura ose pas dy procedurave të thjeshtësuara të hapura, nuk është dorëzuar asnjë ofertë ose asnjë ofertë adekuate, gjegjësisht kur pas dy procedurave të zbatuara të kufizuara nuk është dorëzuar asnjë paraqitje për pjesëmarrje ose asnjë paraqitje adekuate për pjesëmarrje në fazën e parë, me kusht që kushtet e dokumentacionit të tenderit të mos jenë të ndryshuara ndjeshëm”, thonë nga Byroja për Furnizime Publike.

Ajo që hedh dyshim është se vetëm një ditë para lidhjes së kontratës me BEG, gjegjësisht më 19 janar, Kapushevski ka regjistruar një filial – depo për mazut. Mënyra e këtillë e funksionimit mes BEG-ut dhe Kapushevskit nuk është asgjë e re. Edhe vitin e kaluar BEG-u ka lidhur marrëveshje me RKM në vlerë prej 22 milionë eurove për furnizim të 55 milionë kg mazut, por vetëm në rast nevoje edhe pse sasia ishte për tërë sezonin e ngrohjes. Kjo ngjalli spekulime të shumta jo vetëm për faktin se kompania RKM ka marrë licencë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë vetëm 17 ditë para lidhjes së marrëveshjes, por edhe për shkak se kompania e Kapushevskit sërish është paraqitur si ofrues i vetëm.